Kina e ka vlerësuar si “zhvillim të rrezikshëm” planin e Japonisë për të rritur mbi 50 për qind buxhetin e saj 5-vjeçar të mbrojtjes.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, në një konferencë të rregullt për media tha se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes së Tokios po ndiqet me shqetësim nga fqinjët aziatikë dhe komuniteti ndërkombëtar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Japonia ka rritur vazhdimisht shpenzimet e saj të mbrojtjes në 10 vitet e fundit dhe tensionet rajonale po i përdor si arsye për përparimet e saj ushtarake. Ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm. Fqinjët aziatikë dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shqetësim nëse Japonia do t‘i përmbahet apo jo politikës së saj të fokusuar në mbrojtje dhe në drejtim të zhvillimit paqësor”, tha ajo.
Mao, ndër të tjera, theksoi se Japonia duhet të pajtohet me të shkuarën e saj agresive ekspansioniste, të respektojë shqetësimet e sigurisë të fqinjëve të saj aziatikë dhe të tregohet e kujdesshme në fushën e sigurisë ushtarake.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, dje njoftoi se ka dhënë udhëzim për planin që buxheti i mbrojtjes që do përfshijë vitet 2023-2027 të rritet në 43 trilionë yen (rreth 318 miliardë dollarë), me një rritje prej më shumë se 50 për qind./FolDrejt/