Mbrëmë, kryeministri japonez Fumio Kishida i kërkoi qeverisë së tij që të përgatisë një rritje të buxhetit të mbrojtjes në nivelin e dy për qind të PBB-së deri në vitin 2027, shumë mbi shifrën prej një për qind në të cilën vendi ishte i kufizuar deri më tani.
Japonia e merr vendimin në një kohë kur po përpiqet të forcojë strategjinë e saj të mbrojtjes dhe sigurisë për t’iu kundërvënë kërcënimeve në rritje të vendit nga Kina dhe Koreja e Veriut, si dhe bazuar në situatën e re gjeopolitike botërore pas pushtimit rus të Ukrainës.
Në gusht, ministria e mbrojtjes e Japonisë kërkoi një buxhet të ri vjetor rekord prej 5.59 miliardë ¥ (39 miliardë euro) për vitin fiskal 2023/2024 që fillon në prill, një rritje prej dy për qind krahasuar me buxhetin fillestar për vitin aktual.
Shifra përfundimtare ka të ngjarë të jetë më e lartë siç ishte për këtë vit fiskal, i cili përfundoi duke tejkaluar 6 trilion ¥ pasi u përfshinë kërkesa shtesë.
“Ne do të marrim masa buxhetore për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në dy përqind të PBB-së deri në vitin 2027,” u tha gazetarëve Ministri i Mbrojtjes Yasukazu Hamada pas një takimi me kryeministrin Kishida.
Kjo çështje është e diskutueshme në Japoni për disa arsye, ndër të tjera, kushtetuta pacifiste e vendit të pasluftës kufizon aftësitë ushtarake të Forcave të Vetëmbrojtjes, ushtrisë japoneze.
Sipas mediave lokale, një nga qëllimet e shpenzimeve shtesë do të jetë sigurimi i një aftësie “kundër-sulmi” me armë që mund të synojnë vendet e lëshimit të raketave armike, të cilat Tokio do të vazhdojë t’i përshkruajë si mbrojtëse.
Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Kyodo, më shumë se 60 për qind e japonezëve do ta shihnin në mënyrë të favorshme ofrimin e aftësive për kundërsulm.
Një çështje tjetër e diskutueshme lidhet me financimin e shpenzimeve shtesë ushtarake, pasi rritja e taksave është e papëlqyeshme, përfshirë Partinë Liberal Demokratike të kryeministrit Kishida. Qeveria e tij tashmë po përballet me kosto të larta lidhur me plakjen e popullsisë, pandeminë dhe luftën në Ukrainë.
Sipas Kyodo, një e treta e japonezëve mbështet shkurtimet në sektorë të tjerë buxhetorë për të financuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes./FolDrejt/