Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj përmes një komunikate për media ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të këndellen e sipas tij, të mos vazhdojnë të sillen me injorancë karshi kërkesave të sindikatës.
Jasharaj ka bërë të ditur se SBAShK-u do të dalë publikisht me qëndrimet e tij pas takimit të Këshillit Drejtues që do të mbahet të dielën, si përgjigje ndaj gjithë situatës aktuale.
“SBAShK-u do të dalë publikisht me qëndrimet pas takimit të së dielës të Këshillit Drejtues dhe të kryetarëve të nivelit komunal sindikal e të Universiteteve si përgjigje ndaj gjithë situatës aktuale dhe kërkesave legjitime të anëtarësisë, por unë sot edhe si qytetar, edhe si kryetar i kësaj sindikate, po i drejtohem publikisht institucioneve që të këndellën e të mos vazhdojnë me injorancë, me fyerje e me bindjen se ata kanë forcën dhe mundësinë të bëjnë çfarë t’u teket dhe se nuk u ha palla ama bash për askënd”, ka thënë Jasharaj.
Sipas Jasharajt, Qeveria Kurti çdo ditë sikur shton nga një arsye për protesta e greva.
“Ngritja e çmimeve të artikujve elementar nuk ka pasur të ndalur, kurse pagat nuk kanë lëvizur që nga janari 2018. Qeveria Kurti as edhe një lëvizje në paga e nga ana tjetër për ditë me lëvdata se buxhet si ky tani nuk kemi tani e 21 vite e këndej. Kjo Qeveri me mijëra zëdhënës në Facebook u kujdes vazhdimisht që po kritikoi apo po kërkoi ndonjë sindikatë ngritje pagash të shahen e fyhen udhëheqësit sindikalë me qëllimin se do ua bëjnë bajat apo edhe do t’i frikësojnë e t’i bëjnë të heshtin”, thotë ai.
Kreu i SBASHK-ut thotë se “tani gjithë kësaj iu shtuan edhe ngritja e çmimit të derivateve dhe energjisë e me këtë tmerr na vijnë tmerre të tjera me vazhdimin e ngritjes së çmimeve për gjithë artikujt elementarë dhe Qeveria e mbështetur në Facebook, sillet me fodullëk dhe s’ka as edhe një shqetësim pse po krijohen arsye të reja për protesta e greva”.
“Më shumë se kjo na doli tani edhe versioni i Ligjit të pagave i punuar nga një komision i autorizuar nga Ministri Sveçla. Premtimi ishte se sindikatat do të jenë të kyqura në punën e komisionit, por po del se ato janë ftuar në cilësinë e spektatorit me qasjen ‘ky është ligji, merr ose le’. Ky version i ri është tepër i keq dhe SBASHK-u nuk do ta pranojë dhe po përgatitet për veprime sindikale, që nuk janë edhe të panjohura nga e kaluara e pikërisht për shkak të pakënaqësive të arsyeshme po për këtë ligj.
Versioni i Ministrit Sveçla po thotë se raporti i koeficienteve është 1 me 20 (një me njëzet), që është dyfishi nga ligji i kaluar i pagave, që Kushtetuesja e ktheu në pikën zero. Ky 20 është për pagën e presidentes, koeficienti 19 për pagën e kryeministrit dhe kryeparlamentarit e pastaj koeficientët tjerë për do njerëz të tjerë të mëdhenj të shtetit, kurse koeficientët nga 2 e pak më lartë për të tjerët. SBASHK është duke e analizuar versionin e Ligjit të pagave përgatitur nga Grupi i Ministrit Sveçla dhe vërejtjet e bashkë me kërkesat e mbështetura me argumente do ia prezantojë ministres Nagavci dhe ministrit Sveçla në takimet me ta e po ashtu do t’i debatojë edhe në takimin e të së dielës të Këshillit Drejtues dhe të kryetarëve të nivelit komunal sindikal e të Universiteteve dhe do të marrë vendime meritore duke u bazuar në realitetin se Qeveria Kurti çdo ditë sikur shton nga një arsye për protesta e greva”, ka pohuar Jasharaj.