Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari iu ka bërë thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të reflektojnë krahas kërkesave të tyre dhe siç tha ai të ndalen edhe provokimet ndaj protestuesve.
Jashari u ka bërë thirrje protestuesve që protesta të mbahet e qetë dhe e dinjitetshme, ashtu siç ka qenë e dinjitetshme edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Ne iu kemi bërë thirrje që protesta të jetë e qetë, të jetë e dinjitetshme, siç ka qenë ushtria Çlirimtare e Kosovës e dinjitetshme, dhe ne nuk kemi punë me policinë e Kosovës, nuk kemi punë me objektet që janë ndërtuar mbi sakrificën, mbi mundin e atyre që çka kanë bërë kategoritë e luftës.
Ne iu bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, edhe të deputetëve që të reflektojnë, sepse nuk lejohet të degradohet institucioni më i rëndësishëm, moral, njerëzor dhe kombëtar institucioni i luftës së UÇK-së”, theksoi ai.
Jashari shtoi se oborri i Kuvendit është oborr i vlerave të luftës.
“Ne iu kemi bërë thirrje, dhe iu bëjmë thirrje edhe tash që mos të provokohen, sepse gjatë gjithë kohës sa jemi këtu protestuesit provokohen zyrtarë prej dritareve të kuvendit dhe për këtë duhet të merren masa që mos të bëhen provokime”, tha ai. /Telegrafi/