Me një minut heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.
Anipse programi i Javës së Filmit Kosovar qe publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që morëm me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha na tronditi të gjithëve,transmeton Fol Drejt.
Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minut heshtje nga të pranishmit. Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj. Megjithatë, ajo mbrëmë na “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht.Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. /FolDrejt/