Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, e ka mbajtur mbledhjen e radhës, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Albin Kurti e ka shfrytëzuar rastin, për t’i përmendur sukseset e kabinetit të tij. Sipas tij, kthesa që ka marrë vendi drejt zhvillimit të shoqërisë, për ç’gjë nuk kanë qëndruar duarkryq.
“Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën kuvendi ku nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm”.
Sipas tij, këto të dhëna korrespondojnë me vullnetin dhe kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit.
“Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme” – tha ai.
Në këtë kontekst ai e përmendi edhe çështjen e Vetting-ut dhe ndikimin që e ka pasur qeverisja e mirë në rrafshet e tjera, si atë social./FolDrejt/