Jam ulur në një vend ku pata dashuruar dikur.
Shiu bie. Shiu është vatra ime.
Më vijnë ndërmend fjalë përmallimi: një peizazh
që shfaqet deri në skaj të së mundshmes.
Të kujtoj teksa valëvisje dorën
si të ishe duke pastruar avullin mbi xham,
kujtoj fytyrën tënde, si të qe zmadhuar
prej një fotoje të turbullt shkrepur dikur.
Dikur gabova rëndë
ndaj vetes dhe të tjerëve.
Por bota është vendi i përsosur për të shlyer fajet,
e pastaj të prehesh, si stol në një kopësht.
Dhe në moshë të thyer zbulova
një lumturi të paqme
si sëmundja e rëndë, kur e zbulon tepër vonë:
veç pak kohë të mbetet tash për lumturi të paqme.
Përktheu: Edon Qesari