Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian ka paraqitur dorëheqjen e tij, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pas një krize politike që u shkaktua si pasojë e luftës me Azerbajxhanin, që u zhvillua vitin e kaluar.
“Sipas marrëveshjes me presidentin dhe forcat politike, sot kam dhënë dorëheqje në mënyrë që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen më 20 qershor”, tha Pashinian në Facebook.
Pashinian tha se deri në mbajtjen e zgjedhjeve ai do të kryejë detyrat e tij si kryeministër në detyrë dhe shtoi se planifikon që të garojë në zgjedhje.
“Do të jem kandidat për kryeministër”, tha Pashinian, i cili do të garojë me partinë e tij, Kontrata Civile. “Nëse njerëzit vendosin që unë duhet të japë dorëheqje si kryeministër, unë do të respektoj vullnetin e tyre dhe nëse ata duan që unë të vazhdoj punën time si kryeministër, gjithashtu do të respektoj vullnetin e popullit”, tha ai.
Armenia është në krizë politike, që prej se Pashinian nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit në nëntorin e kaluar, duke i dhënë fund luftës me Azerbajxhanin për rajonin e Nagorno-Karabakut. Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga Rusia.