Kryeministri i në detyrë i Sllovakisë, Eduard Heger njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij.
Heger i cili njihet me mbështetjen e plotë që i ka dhënë Kievit në luftën Rusi-Ukrainë, i ka paraqitur dorëheqjen e tij presidentes Zuzana Caputova, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në një deklaratë, Heger tha se këtë vendim e ka marrë sepse për Sllovakinë dhe për situatën politike në vend dëshiron më të mirën.
Pas dorëheqjes, presidentja Caputova tha se ka marrë vendimin për formimin e një qeverie teknokratike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve në shtator.
Sipas mediave lokale, Caputova për formimin e qeverisë që do ta çojë vendin në zgjedhje, do të ngarkojë me detyrë zv.kryetarin e Bankës Kombëtare të Sllovakisë, Ludovit Odor.
Në vend ku prej kohësh vazhdon paqëndrueshmëria politike, qeveria e cila humbi shumicën në Parlament si pasojë e ndarjes së Partisë “Liri dhe Solidaritet” (SAS) nga qeveria e koalicionit tre-partiak të kryesuar nga Heger, ra duke humbur votë besimin e mbajtur në dhjetor 2022.
Pas kësaj presidentja Caputova ngarkoi qeverinë e përkohshme të kryesuar nga Heger për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve./FolDrejt/