Ministri i Mbrojtjes në Norvegji, Odd Roger Enoksen, ka dhënë dorëheqje pasi iu zbulua lidhja me një gjimnaziste në vitin 2005, ku ai ishte 50 vjeçar e ajo 18 vjeçare.
Qeveria njoftoi se kishte zbuluar lidhjen, teksa kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, gjatë një konference mëngjesin e kësaj të shtune tha se “Është një vendim i domosdoshëm”, ku konfirmoi se kishte pranuar dorëheqjen e Enoksen, shkruan AFP, transmeton Klankosova.tv.
Kryeministri norvegjez tha se do të emëronte një ministër të ri sa më shpejt të jetë e mundur.
Vetë Enoksen e konfirmoi lidhjen dhe kërkoi falje publike për atë që kishte bërë.
“Kam bërë zgjedhje të këqija dhe do të kërkoj falje pa rezerva sepse veprimet e mia e kanë bërë jetën më të vështirë për të tjerët”.
Gjithçka nisi me një udhëtim shkollor në Parlamentin e Norvegjisë në Oslo
Enoksen filloi një lidhje në vitin 2005 me një gjimnaziste 18-vjeçare, të cilën e kishte takuar gjatë një udhëtimi shkollor të bërë nga kjo e fundit me klasën e saj në Oslo, sipas të përditshmes norvegjeze VG.
Grupi i studentëve kishte vizituar Parlamentin Norvegjez dhe kishte takuar Enoksen, në atë kohë një parlamentar 50-vjeçar.
Pas udhëtimit në shkollë, politikani dhe gjimnazistja filluan atë që do të bëhej një marrëdhënie shumë e ngushtë dhe seksuale, thotë VG.
Ata u takuan të paktën 12 herë në zyrën e Enoksen midis fundit të vitit 2006 dhe fillimit të vitit 2007, kur ai ishte ministër i Energjisë, gruaja, tashmë në të 30-at, dëshmoi për të përditshmen, duke pretenduar se disa nga këto takime rezultuan në “akte seksuale”.