Kryeministri Albin Kurti sot u përball me kritika të shumta për sa i përket menaxhimit të pandemisë.
Në seancën e jashtëzakonshme kushtuar çështjes së pandemisë, ai dhe kabineti i tij është “shigjetuar” nga kritikat e ashpra të opozitës.
Por Kurti tha sot para deputetëve se varianti Omicron po përhapet më lehtë se variantet tjera, duke e justifikuar në këtë mënyrë, numrin e madh të të infektuarve.
“Masat antiCOVID nuk kanë rënë nga qielli, por rezultat i një procesi të kujdesshëm…ne jemi një qeveri që nuk merr vendime shkel e shko e për përfitime politike, por qeveri që është e gatshme edhe për vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, tha Kurti.
“Nuk kam detyrë më parësore se të mbroj shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit të vendimeve tona.Jemi të vetëdijshëm për pasojat masat kufizuese mund të shkaktojnë në jetën ekonomike, kulturore e shoqërore të vendit”, tha ai.
Ai ka bërë thirrje nga foltorja e kuvendit, që qytetarët të “përforcohen” me dozën e tretë, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të stabilizohet situata./FolDrejt/