Futbollisti holandez Quincy Promes u dënua me dy vjet burg për një sulm me thikë ndaj kushëririt të tij që ai kreu në vitin 2020. Promes u dënua në mungesë para një gjykate holandeze, pasi aktualisht jeton në Rusi, ku luan për Spartak Moskën.
Ai gjatë një debati ka sulmuar kushëririn dhe e ka goditur me thikë në gju. Promes fillimisht u akuzua për vrasje në tentativë, por akuza u ndryshua më vonë në sulm të rëndë. Promes më parë ishte deklaruar i pafajshëm. Në dënimin u përdorën mesazhe zanore në të cilat Promes tha se i vinte keq që nuk kishte armë zjarri me vete.
Kujtojmë se së fundmi ai u akuzua për pjesëmarrje në kontrabandën e kokainës drejt Holandës. Që nga viti 2021, Promes ka qenë anëtar i Spartak Moskës, fanellën e të cilit e ka veshur nga viti 2014 deri në vitin 2018, si dhe ka luajtur edhe për Twente, Sevilla dhe Ajax. Ai bëri 50 paraqitje për kombëtaren holandeze dhe shënoi shtatë gola, transmeton Fol Drejt.