Në kohën kur shtetet perëndimore të Europës kanë frikë nga strehimi i emigrantëve, vendet e Europës qendrore dhe juglindore kanë frikë nga largimi i madh i shtetasve të tyre drejt Perëndimit. Ali Ahmeti në bisedat sekrete për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Shkupit dhe Athinës fliste për zgjidhje emergjente të kontestit pasi lidershipi i Shkupit po kthehet në liderë të pleqve – duke aluduar se të rinjtë po largohen gjithmonë e më shumë. Ai nuk e kishte gabim dhe skena të frikshme të largimit vërehen gjatë orëve të mëngjesit përpara ambasadave të huaja në Prishtinë dhe Shkup. Por, për hir të së vërtetës, ky nuk është vetëm një problem i shqiptarëve por edhe i të gjithë shteteve të rajonit dhe më gjerë.
Shifra alarmante se nuk largohen vetëm shqiptarët
Prej lehtësimit të regjimit të vizave me BE-në, sipas medias gjermanofone DER STANDARD:
–Një e pesta e popullatës rumune është larguar nga vendi. Prej tyre, tre të katërtat janë më të rinj se 35 vjeç.
–Prej 1989,
Letonia ka humbur 27 përqind të banorëve,
Lituania ka humbur 22.5 përqind të banorëve,
Bullgaria ka humbur 23 përqind të banorëve.
Këto tre shtete përveç emigrimit të madh kanë problem edhe me natalitetin.
-Edhepse sot Hungaria luan rolin e të “madhit” dhe snobit, duke folur për vlera dhe kundër emigrantëve të Lindjes së Mesme, 600 mijë hungarezë janë larguar drejt Perëndimit dhe atë kryesisht në Gjermani, Britani të Madhe dhe Austri. Hungarezët kanë emigruar për të gjetur një punë më të mirë nga vendlindja.
-Edhe Polonia shquhet për politika anti-emigracion, por në fakt, në dhjetë vitet e fundit 3.3 milionë polakë kanë emigruar sëpaku njëherë drejt Perëndimit. Gjatë debateve për Brexit, kryeministri polak Mateusz Moraviecki u bëri thirrje mbi një milion polakëve që jetojnë në Britaninë e Madhe që të kthehen në vendlindje. Por kjo do përkeqësonte gjendjen e gjysëm milionë ukrainasve që jetojnë dhe punojnë në Poloni, përcjell foldrejt.com.
-Emigracion të madh ka edhe nga Bosnja, Serbia, Maqedonia si dhe Shqipëria e Kosova. Vetëm vitin e kaluar nga Serbia janë larguar 44 mijë serbë drejt Gjermanisë, shkruan “Die Welt”.
Sipas disa përllogaritjeve të besueshme, nga rrëzimi i Murit të Berlinit nga vendet e lartëpërmendura janë larguar 12 deri 15 milionë banorë. Kryesisht në Europën Perëndimore dhe SHBA.
E vetmja metodë për të luftuar emigrimin është lufta kundër korrupcionit dhe respektimi i konkurrencës së lirë./Foldrejt.com