Futbollisti portugez Joao Felix ka thënë sot se skuadra e tij duhet të jetë e kujdesshme në ndeshjet kundër Lihtenshtajnit dhe Luksemburgut në kualifikueset për Kampionatin Evropian, që do të mbahet në vitin 2024 në Gjermani, raporton AP.
“Ne duhet të jemi gjithmonë gati dhe të mos hyjmë lehtë në lojë. Kemi një shembull nga Botërori i fundit, kur të gjithë mendonin se do ta kalonim Marokun, por nuk ia dolëm. Çdo kombëtare gjithmonë jep më të mirën e saj dhe secili luan të vetin ndeshjet sikur të ishin një finale. Të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira. Duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Felix në konferencën për shtyp.
Portugalia do të presë Lihtenshtajnin në Lisbonë nesër nga ora 20:45, ndërsa tre ditë më vonë do të presë Luksemburgun në Grupin J të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2024. Në grupin J bëjnë pjesë edhe Sllovakia, Islanda dhe Bosnja e Hercegovina. /FolDrejt/