Në Shtetet e Bashkuara Presidenti Joe Biden tha të martën në mbrëmje se vendi do të ketë më shumë se 600 milionë doza vaksinash të koronavirusit, të mjaftueshme për të vaksinuar “çdo amerikan” deri në fund të këtij korriku. Zoti Biden i bëri komentet gjatë një takimi me pyetje-përgjigje në Milluaki të Uiskonsin që u transmetua në rrjetin televiz të lajmeve CNN.
I pyetur nga gazetari Anderson Cooper se kur Shtetet e Bashkuara do të kthehen në normalitet, zoti Biden tha se deri në Krishtlindjen e ardhshme “vendi do të jetë në një rrethanë shumë të ndryshme nga sa është sot”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët gjatë ditës së martën se qeveria federale do të rrisë sasinë e vaksinave që shtetet marrin çdo javë nga 11 milionë në 13.5 milionë doza.
Presidenti gjithashtu tha që shtetet duhet t’i japin përparësi mësuesve të shkollave publike në përpjekjet e tyre të vaksinimit si pjesë e një strategjie për mësimdhënie në klasa me kohë të plotë.