Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, thotë se kishte gabuar sa i përket qëndrimit për marrëdhëniet me Rusinë dhe se nuk beson më që është e mundur të rivendosen marrëdhëniet me Moskën për shkak të shumë dallimeve që ekzistojnë mes dy vendeve.
“Ajo për të cilën vërtet e kam ndryshuar mendjen është mundësia që të rivendosen marrëdhëniet me Rusinë”, tha kryeministri britanik për një revistë vendore.
“Vërtet mendoja se mund t’i fillojmë përsëri marrëdhëniet me Rusinë, mendoja se ai është një vend i mrekullueshëm, me të cilin kemi luftuar së bashku kundër fashizmit. Besoj se kështu kanë menduar edhe shumë kryeministra e ministra të jashtëm para meje”, tha ai.
Këto komente erdhën pas vizitës që shefi i qeverisë britanike e realizoi në Estoni, gjatë së cilës tha se shpreson që t’i përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, por se dy vendet kanë probleme të tmerrshme që i ndajnë këto shtete.
“Ne duam të kemi marrëdhënie më të mira tregtare, dëshirojmë më shumë tregti, por është gjithmonë shumë zhgënjyese, sepse kemi probleme të tmerrshme”, shtoi ai.
Kryeministri britanik e përmendi edhe incidentin e qytetit Salisbury, ku një ish-agjent rus dhe vajza e tij ishin gjetur pa ndjenja në një ulëse parku më 4 mars 2018.
Më vonë u zbulua se ata ishin helmuar me helmin “Novichok”, i cili prodhohej nga ushtria sovjetike. Britania dhe vendet perëndimore e fajësuan Rusinë për këtë sulm, ndonëse Moska i mohoi akuzat, shkruan “Free Europe”.