Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pasur një agjendë të ngjeshur me aktivitete gjatë ditës së sotme. Sot ai në Shkup mori pjesë në një panel për diskutim me temë “Një transformim i drejtë për Evropë të vetëmjaftueshme me energji”, në kuadër të Forumit Socio-Ekologjik 2022, shkruan Fol Drejt.
Pas Shkupit ai ka marr pjesë në Konferencën për Rininë 2022, “Drejt një politike kombëtare” të organizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Nga Prizreni ai nuk ka hezituar që t’i komentoj zhvillimet e fundit politike, përkatësisht përballjen maratonike të tij me Aleksandër Vuçiqin:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ambasadori Jeffrey Hovenier është shumë i përkushtuar dhe angazhuar, unë e falënderoj për këtë, roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv dhe kreativ. Ai po bënë përpjekjet maksimale, pra SHBA-ja, sidomos ambasadori. Ata janë në kontakt me Brukselin, që prej se përfundoi takimi i fundit, unë nuk kam komunikuar me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Jose Borrell, i cili me keqardhje, ritheksoi e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian, duke thënë le të kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat, ndonëse aty unë kam qenë dakord që faza e dytë e zbatimit të vendimit, jo vendimi i si i tillë, por faza e dytë të pezullohet në kërkim të një zgjidhje sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve, deri në marsin e vitit 2023. T’i japim shanse pa gjoba marrëveshjes, por jo vetëm për targa dhe ta flakim tutje çështjen e bisedimeve për marrëveshje përfundimtare…” – tha ai.
Kurti vijoi duke theksuar se:
“Korrigjimi i gabimit të zotëri Borrell është i domosdoshëm, ai është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët të flasin dhe dakordohen për targa, që dorën në zemër as ai në Serbi dhe unë në Kosovë nuk jemi më kompetent.”
Ambasadori Jeff Hovenier mbrëmë i kërkoi Kryeministrit Kurti shtyrje të afatit për çështjen e targave për 48 orë, të cilën ky i fundit e pranoi pa hezitim, ndërsa u shpreh i kënaqur që po i bashkërendon veprimet me ShBA-të./FolDrejt/