Juristi Durim Berisha sot gjatë ditës njoftoi se kërkesa të cilën e pat dorëzuar javë më parë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), kundër një dispozite diskriminuese kundrejt vajzave me shami, është pranuar në heshtje, raporton Fol Drejt.
“Kërkesa të cilën e kam dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më datën 07.08.2022 e përmes të cilës kam kërkuar anulimin e nenit 3 paragrafi 1.13 të UA Nr. 06/2014 është aprovuar sipas rregullave të heshtjes administrative, ashtu si parashihet me Ligjin në fjalë. Kërkesa e aprovuar përmes heshtjes administrative prodhon të njëjtat efekte juridike që i prodhon një aktvendim, përmes të cilit aprovohet kërkesa” – shkroi ndër të tjera Berisha me këtë rast.
Megjithatë, përkundër këtij njoftimi mjaft të qartë, qarkulluan komente nëse kjo nënkuptonte që ai e kishte fituar kontekstin ligjor.
Megjithatë, ai nuk ia la rastit. Në një koment të mëvonshëm ai qartësoi edhe më tej situatën, duke treguar pse kjo çështje tanimë veç mund të konsiderohet e mbyllur:
“Që ky detyrim ligjor të jetë i përmbarueshëm duhet inicuar procedurat brenda afateve ligjore, pas aprovimit përmes heshtjes administrative. Humbja e afateve ligjore, rezulton me humbje të kontestit. Kaq e thjeshte është, për ata qe marrin sadopak erë nga ligji” – tha ai thjesht dhe qartë.
Ndonëse nuk ka pasur ndonjë koment nga ana e MAShTI-it, shumë nga ata që e kanë përkrahur kampanjën kundër nenit të këtij ligji, e kanë uruar Berishën dhe përkrahësit e kampanjës së tij, për fitore./FolDrejt/