Mesfushori italo-brazilian Jorginho është padyshim një nga të preferuarit e Sarrit, që në vitin e parë në pankinën e Juventusit ka vuajtur jo pak të implementojë idetë e tij, ndaj u ka kërkuar drejtuesve që të përpiqen të sjellin futbollistin nga Chelsea këtë verë.
Pjanic nuk ka arritur t’i përthithë më së miri idetë e Sarrit dhe pikërisht për këtë arsye, tekniku ka ndërmend të bindë Jorginhon të rikthehet në Serinë A dhe të marrë vendin para mbrojtjes, për të shpërndarë me shpejtësi topin dhe për të ndihmuar në ruajtjen e qarkullimit të sferës.
Negociatat me Chelsean nuk pritet të jenë të lehta, duke qenë se Jorginho ka luajtur rregullisht në formacion me trajnerin Lampard, por dëshira e mesfushorit italo-brazilian mund të luajë një rol mjaft të rëndësishëm në ecurinë e bisedimeve.
Një tjetër emër që Sarri preferon në mesfushë është ai i Sandro Tonalit, por konkurrenca për djaloshin e Brescias është e madhe, pasi Interi ka avancuar negociatat dhe në garë janë përfshirë edhe klube të tjera si Barcelona.
Nëse nuk do të arrihet te Tonali, në listën e merkatos së Paraticit janë pikërisht braziliani i Napolit, Allan, por edhe ish mesfushori i Milanit, aktualisht pjesë e Sassuolos, Manuel Locatelli, i cili ka bërë një sezon mjaft të mirë deri në ndërprerjen e kampionatit.
Megjithatë fillimisht klubi bardhezi duhet të krijojë hapësira nga një mesfushë e tejmbushur me futbollistë, ndaj emra si Pjanic dhe Rabiot janë ata që duket se do të sakrifikohen, për të sponsorizuar afrimin e të preferuarve të Sarrit.