Në Bashkimin Evropian (BE) është vënë në praktikë rregullorja ligjore që parashikon heqjen e përmbajtjeve terroriste në internet brenda një ore me kërkesë të vendeve anëtare.
Sipas rregullores së miratuar vitin e kaluar, nëse shpërndarja e fotografive, videove, teksteve apo tingujve në internet konsiderohen nga autoriteti kompetent i një vendi të BE-së si përmbajtje “për të kryer ose kontribuar në krime terroriste, marrje pjesë në aktivitetet e një grupi terrorist, lavdërimi i aktiviteteve terroriste, mbrojtja ose nxitja në krime terroriste” do të kërkohet të hiqen dhe do të duhet të fshihen brenda një ore ose të bllokohet e gjithë qasja, shkruan Aa, transmeton Fol Drejt.
Mosrespektimi do të rezultojë në gjoba proporcionale, duke marrë parasysh nivelin e platformës. Dënimet financiare mund të jenë deri në 4 për qind të xhiros së platformës.
Përveç heqjes së përmbajtjes së terrorizmit, rregullimi ligjor synon të parandalojë përhapjen e propagandës së organizatave terroriste, manipulimin e aktiviteteve terroriste, radikalizimin dhe rekrutimin e personelit nga organizatat.
Komisioni i BE-së filloi të përgatisë legjislacionin pas sulmeve terroriste në disa vende të BE-së në vitet e fundit. Platformat që ofrojnë shërbime përmes internetit në BE dhe vendet anëtare kanë një vit kohë për t’u harmonizuar me procesin ligjor. Transmetimet e drejtpërdrejta të krimeve terroriste ose të aktiviteteve që mund të çojnë në krim mund të llogariten gjithashtu në këtë lloj përmbajtjeje.
Në kërkesat për heqjen e përmbajtjes nga “autoritetet kompetente” të vendeve të BE-së do të duhet të shprehet qartë arsyeja pse të hiqet postimi i kërkuar dhe përmbajtjet e konsideruara terroriste duhet të shpjegohen në detaje.
Në rast të publikimit të përmbajtjeve terroriste në platformat e internetit, do të kërkohet që të merren masa shumë të shpejta. Këto masa do të kërkohen për të mbrojtur të drejtat themelore, veçanërisht lirinë e shprehjes.
Si vendet e BE-së ashtu edhe platformat e internetit do të përgatisin raporte vjetore transparente për përmbajtjen e hequr. Çdo përmbajtje e hequr aksidentalisht do të ringarkohet menjëherë./FolDrejt/