Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se kabineti i Endoskopisë në Klinikën e Gastroenterologjisë në QKUK është kompletuar, pas ardhjes së pajisjeve të reja mjekësore dhe ridizajnimit të hapësirave, shkruan Fol Drejt.
Në njoftim thuhet se menaxhmenti i SHSKUK-së e ka pajisur këtë klinikë me 4 gastroskopë dhe 4 kolonoskopë të rinj, të markës Olympus dhe Karl Storz- duke përmbushur plotësisht nevojat për trajtim endoskopik të pacientëve.
Tutje theksohet që pas ndërhyrjeve të fundit, Kabineti i Endoskopisë është bërë me 3 salla, listë të pritjes nuk ka dhe pacientët marrin shërbimet e nevojshme shumë shpejt.
“Në një ceremoni zyrtare, u.d. ministrja e shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, u.d. drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, dhe Bordi Drejtues i SHSKUK-së, kanë përuruar pajisjet e reja dhe kanë përgëzuar menaxhemtin e klinikës për punën e jashtëzakonshme, ndërkohë kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme dhe janë zotuar për investime tjera në të gjitha klinikat, që kanë synim rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe krijimin e kushteve të punës për punëtorët shëndetësorë,” shkruan ShSKUK në fund të njoftimit. /FolDrejt/