Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka njoftuar se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur përfundimisht që të mbetet në fuqi pezullimi i vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik deri në vendosjen përfundimtare të rastit sipas padisë.
“Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga pala e interesuar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë.
Gjykata e Apelit po ashtu kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e të paditurës – Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe të palës së interesuar të parashtruara ndaj Aktvendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin është aprovuar si i bazuar propozimi për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara”, thuhet në njoftim.
“Pra, Gjykata Supreme përfundimisht ka aprovuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për leje ujore dhe mjedisore, të cilat vendime janë kontestuar nga organizatat paditëse GLPS dhe Gjethi për arsye se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik, ka pasur shumë shkelje ligjore si: (i) mos-zbatimi i procedurës së koncesionit (ii) mungesa e debatit publik apo mungesa e njoftimit adekuat të publikut për të, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj”, bën të ditur GLPS.
Sipas tyre, Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të lëndës ka gjetur se kërkesa e palës së interesuar për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor është e pabazuar.
“Po ashtu, ka theksuar se gjykata e shkallës së dytë ka vepruar drejt kur ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të paditurës dhe të palës së paditur.
Kjo për arsye se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të përcaktuara me nenin 22 të Ligjit për konfliktet administrative dhe se vendimet e gjykatave të instancës më të ulët kanë rezultuar nga shkresat e lëndës nga të cilat kanë konstatuar se zbatimi i vendimeve të kontestuara me padi paraqet rrezik të shkaktimit të dëmit në mjedisin jetësor, degradimit potencial të natyrës. Gjykata Supreme ka vlerësuar se e drejta materiale është aplikuar drejtë dhe nuk është shkelur ligji në dëm të palës së interesuar.
GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
“Në fund, GLPS dhe Gjethi u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi, pra që të lajmërojnë Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike në rast se Hidrocentrali “Lepenci 3” në Kaçanik vazhdon operimin pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, e për të cilin ne do të iniciojmë procedurat përkatëse ligjore. Së bashku duhet të kundërshtojmë rastet kur për përfitime financiare të personave privat dëmtohet interesi publik i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!”./FolDrejt/