Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se beson se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqjen si President i Kosovës në vitin 2020 pasi u akuzua për krime lufte dhe aktualisht ndodhet në Hagë, në pritje të gjykimit, ka bërë progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
“Kam besim se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse Thaçi do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre dhe më shumë vende pune për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, tha Grenell.
Grenell tha për The Pavlovic Today se Thaçi dhe Vuçiq janë “me të vërtetë ata” që ranë dakord për marrëveshjen historike të normalizimit ekonomik.
“Kjo është negociuar e gjitha nga Thaçi, Hoti nuk ka negociuar shumicën e marrëveshjes. Me çdo masë objektive, situata në Kosovë dhe Serbi po përmirësohej gjatë administratës së Trump. Të dyja palët folën rregullisht me njëra-tjetrën dhe me Shtëpinë e Bardhë. Ata nënshkruan marrëveshjen e normalizimit ekonomik Serbi-Kosovë. Tani jo vetëm që të dy palët nuk po flasin, nuk po bëjnë përparim, por në fakt janë kthyer në një gjendje krize”, ka thënë Grenell./21Media