Deputeti shqiptar i sapozgjedhur në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur pas fitimit të mandatit të ri.
Ai tha se zgjedhja e tij si deputet nënkupton vazhdimin e betejës politike, betejës për të drejtat e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre fundamentale, të cilat sipas tij, Serbia autoritare e Vuçiqit, po ia mohon shqiptarëve.
“Tash jam vetë, por është një përgjegjësi më e madhe për mua të jem më aktiv sesa që isha, në mënyrë që të kompensohet gjithçka sepse duhet shfrytëzuar proceset e përgjithshme politike nëpër të cilat po hyn Ballkani, sidomos me një kthesë të madhe që pritet ta bëjë Serbia rreth Rusisë dhe BE-së, që sipas meje do të detyrohet t’i përmbushë standardet e BE-së”, është shprehur Kamberi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
I pyetur se a ka marr ndonjë urim nga kundërshtari i tij politik shqiptar në Luginë, Shqiprim Arifi, Kamberi u përgjigj negativisht, por tha se shpreson se një gjë e tillë do të ndodh në vijim.
“Jo nuk kam marr urim nga Shqiprim Arifi, por shpresoj që sot ose nesër ta marr këtë urim, sepse beteja jonë me Beogradin është betejë e përbashkët e shqiptarëve, pa dallim konkurrencës lokale”.
“Politika diskriminuese e Beogradit është njësojë diskriminuese si ndaj anëtarësisë e cila është rreth Koalicionit të Shqiptarëve si ndaj anëtarësisë që e përfaqëson Shqiprim Arifi. Pres përkrahje në ditët në vijim nga ai në radhë të parë si kryetar i komunës së Preshevës”, është shprehur Kamberi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se në mandatin e ri në Parlamentin e Serbisë pritet të ketë debate të ashpra, jo vetëm më pozitën të cilën e udhëheq Vuçiq, por edhe me deputetët e ekstremit të djathtë.n
“Unë duhet të insistoj në realizimin e të drejtave shqiptarë e që po mohohen. Janë të drejta fundamentale, të drejta të cilat grasatohet me të gjitha standardet e BE-së por u mohohen shqiptarëve dhe këto janë tema që duhet t’i paraqes në parlamentin e Serbisë, ku duke pasur parasysh përbërjen aktuale, jo vetëm deputetët e shumicës por edhe ata të ekstremit të djathtë do të ketë debate të ashpra”, është shprehur Kamberi.
Kujtojmë se Shaip Kamberi u zgjodh i vetmi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë.