Ministria e Shëndetësisë e Kanadasë njoftoi se më shumë se gjysma e dozave të vaksinës kanë skaduar për shkak të kërkesës së ulët brenda dhe jashtë vendit
Autoritetet shëndetësore kanadeze kanë njoftuar se do të hidhen rreth 13.6 milionë doza të skaduara të vaksinës ‘Oxford-AstraZeneca’ kundër koronavirusit COVID-19, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministria e Shëndetësisë e Kanadasë njoftoi se më shumë se gjysma e dozave të vaksinës kanë skaduar për shkak të kërkesës së ulët brenda dhe jashtë vendit.
‘Canadian Press’ raportoi se megjithëse Kanadaja ka dhuruar gati 9 milionë doza në 21 vende të ndryshme anembanë botës, 13,6 milionë doza të vaksinës ‘Oxford-AstraZeneca’ do të hidhen pasi nuk kishte kërkesë të mjaftueshme para skadimit të tyre.
Në raport thuhet se Kanadaja gjithashtu ka dhuruar mbi 6,1 milionë doza të vaksinës ‘Moderna’, por edhe ka hedhur 1,2 milion doza të kësaj vaksine.
Sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA, Kanadaja deri më tani ka raportuar 3,94 milionë raste të koronavirusit, me mbi 42 mijë vdekje.
Në Kanada mbi 31 milionë persona kanë marrë dy doza të vaksinës COVID-19./FolDrejt/