Autoritetet egjiptiane thonë se Kanali i Suezit mund të zhbllokohet brenda 24 orëve në rastin më të mirë, ose brenda disa javëve nëse dështojnë përpjekjet aktuale për zhvendosjen e anijes gjigante që po pengon qarkullimin në të.
Drejtuesi i Autoritetit që menaxhon Kanalin deklaroi se për bllokimin e njërës nga nyjat kyç të transportit global nuk përjashtohet si shkaktar edhe faktorët njerëzorë.
Aksidentet e mëdha ndodhin gjithmonë për arsye dhe gabime që ndërthuren me njëra-tjetrën. Arsyeja e qartë është se ka pasur erëra të forta dhe stuhi rëre, por mund të ketë pasur edhe gabime teknike ose njerëzore, që pritet t’i zbulojnë hetimet, – tha Osama Rabie
Operacionet për shtyrjen dhe gërmimin e cekëtinës ku ka ngecur mjeti u shtuan gjatë fundjavës, duke përfituar edhe nga dallgët e ditës, por përpjekjet u ndërprenë në darkë.
Autoritetet egjiptiane thonë se disa vende kanë ofruar ndihmë për zhbllokimin e anijes.
Pengesa në Kanalin e Suezit po rëndon përditë situatën edhe tregtinë globale, pasi në kanal qarkullojnë gati 10 për qind e gjithë mallrave të botës nga Azia në Perëndim, që përndryshe do të duhej të transportoheshin nëpërmjet rrugës më të gjatë, rreth e qark Afrikës.