Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka pohuar se Vladimir Putin beson që po e fiton luftën në Ukrainë.
Nehammer u takua me presidentin rus në fillim të kësaj jave dhe kështu u bë lideri i parë perëndimor që e bën këtë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në muajin shkurt.
Ai pohon se i tha në sy Putinit në Moskë se “po e humbiste moralisht luftën” dhe se “të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës duhet të sillen para drejtësisë”.
“Unë mendoj se ai tani është në logjikën e tij të luftës. Ai mendon se lufta është e nevojshme për garancitë e sigurisë së Federatës Ruse. Ai nuk i beson komunitetit ndërkombëtar. Ai fajëson ukrainasit për gjenocidin në Donbas. Unë mendoj se ai beson që po e fiton luftën”, tha Nehammer në një intervistë me NBC-në.
Austriaku u pyet për reagimin e presidentit rus ndaj akuzave për krime lufte.
“Më tha se do të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare nga njëra anë dhe nga ana tjetër më tha se nuk i besonte botës perëndimore. Kështu që do të jetë problem në të ardhmen. Mendoj se besimi ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, një hetim ndërkombëtar, është i nevojshëm. Pra, ishte një diskutim i vështirë me njëri-tjetrin. Por unë u përpoqa ta bind atë se, për shembull, lufta në ish-Jugosllavi na tregoi se një hetim ndërkombëtar është i dobishëm për ndjekjen penale të kriminelëve të luftës”, tha kancelari austriak për NBC-në.
Ndryshe, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka nisur tashmë hetimet për të përcaktuar nëse trupat ruse kanë kryer krime lufte.