Kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që tashmë premtimi i dhënë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet i besueshëm.
“Prej 20 vitesh vendet dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor presin mundësinë për anëtarësim në BE”, tha Scholz duke thënë se “Sipas mendimit tim është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky premtim tashmë të jetë i besueshëm, sepse shumë nga përpjekjet e bëra nga këto shtete në të vërtetë duhet të rezultojnë me pranim”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se Gjermania e ka ndier veten përgjegjëse për të siguruar që shtetet në fjalë të kishin mundësinë të zbatonin me sukses perspektivat evropiane.
“Ne e shohim se sa përpjekje kanë bërë shumë prej tyre. Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin për t‘u bërë anëtare e BE-së. Ky është vetëm një shembull i shumë përpjekjeve. Të gjitha këto tashmë duhet të shndërrohen në mënyrë kuptimplote në anëtarësim”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha se vendi i tij do të mbështesë aktivitetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së. “E ndiejmë veten përgjegjës për të siguruar që këto vende të jenë të suksesshme në përpjekjet e tyre”, tha Scholz./FolDrejt/