Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha sot se sistemi bankar i vendit të tij është jashtë rrezikut dhe i qëndrueshëm.
“Depozitat e kursimtarëve gjermanë janë të sigurta. Jo vetëm për shkak të qëndrueshmërisë më të madhe të sistemit bankar dhe rregullativës më të rreptë, por edhe për shkak të fuqisë sonë ekonomike”, tha Scholz në një intervistë për gazetën “Handelsblatt”, përcjell Fol Drejt.
Ai tha se nuk sheh ndonjë rrezik të përsëritjes së krizës së madhe financiare të vitit 2008, pavarësisht shqetësimeve në tregje pas falimentimit të bankës amerikane Silicon Valley dhe rënies së Credit Suisse.
“Jetojmë në një kohë krejtësisht të ndryshme. Ligjvënësit dhe rregullatorët e bankave kanë marrë mësimet e tyre nga falimentimi i Lehman Brothers në vitin 2008”, tha kancelari gjerman.
Scholz theksoi se rregulloret bankare janë më të rrepta se në atë kohë dhe shtoi se autoritetet në SHBA, Britaninë e Madhe dhe së fundmi në Zvicër kanë vepruar shpejt dhe me vendosmëri./FolDrejt/