Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se është pro krijimit të një “Plani Marshall” për rindërtimin e Ukrainës pavarësisht luftës që Rusia zhvillon kundër Ukrainës.
Në një fjalim në konferencën për rindërtimin e Ukrainës të mbajtur në Berlin, Scholz tha “gjëja për të cilën bëhet fjalë këtu nuk është gjë tjetër veçse krijimi i një Plani Marshall të ri”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Scholz theksoi se rindërtimi i Ukrainës duhet të fillohet menjëherë dhe është një detyrë që do të vazhdojë përgjatë brezave dhe shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me vendosmëri.
Ai tha se nuk e dinë ende se kur do të përfundojë lufta, duke theksuar se “edhe kur të përfundojë lufta në Ukrainë do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë luftës së Ukrainës për siguri, liri dhe demokraci”.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje që të jepet përpjekje globale për rindërtimin e Ukrainës.
Ajo u shpreh se nuk ka kohë për të humbur pasi “përmasat e shkatërrimit në Ukrainë janë të mëdha, asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm çështjen e rindërtimit të Ukrainës dhe ka nevojë për partnerë dhe institucione të fuqishme”.
Në konferencën në Berlin nuk pritet që të merret ndonjë vendim politik.
Rekomandimet e ekspertëve do të publikohen më vonë dhe do të tregojnë rrugë për vendimmarrësit, lidhur me vendimet në të ardhmen për një plan gjithëpërfshirës ristrukturimi dhe modernizimi për Ukrainën./FolDrejt/