Presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se e ka befasuar deklarata e kancelarit gjerman Olaf Scholz, në konferencën e përbashkët për media me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, kur tha se NATO e bombardoi e Serbinë gjatë vitit 1999 për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë.
Presidenti serb ka komentuar deklaratën e kancelarit gjerman, pas takimit me presidentin rus, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me konfliktin e mundshëm në Ukrainë, pas grumbullimit të trupave ruse në kufirin me këtë shtet.
“Nuk do të doja ta përkeqësoja pozitën e Serbisë. Unë e konsideroj Olaf Scholz një politikan serioz, por jam i befasuar me deklaratën e tij se ‘NATO ndërhyri në vitin 1999 për të parandaluar gjenocidin në Kosovë’. Ndryshe nga ai, Angela Merkel e cilësoi ‘katastrofë humanitare’. Unë kurrë nuk u pajtova as me të [kancelaren Merkel]”, tha Vuçiq për agjencinë shtetërore serbe të lajmeve Tanjug, përcjell Telegrafi.
Presidenti serb vazhdon të këmbëngul se në Kosovë nuk ka pasur gjenocid, as katastrofë humanitare.
“Atyre në perëndim u dhemb që Putini po i përdor të gjitha dobësitë e tyre dhe të njëjtat argumente që NATO përdori kur kryen agresion ndaj serbëve. Kur Kamala Harris thotë ‘mos i prekni kufijtë kombëtarë’, atëherë të gjithë duan ta harrojnë Serbinë”, tha Vuçiq dhe shtoi se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
Ndryshe, kancelari gjerman të martën para gazetarëve në Kremlin, duke folur për vitin 1999 tha se në Jugosllavi ishte prezent një rrezik – e ai ishte rreziku për gjenocid që patjetër duhej të parandalohej.
“Në Jugosllavi kishim një rrezik – e ai ishte rreziku i gjenocidit dhe kjo duhej të parandalohej. Jam i lumtur që kemi zhvillime paqësore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku secili ka perspektivën e vetë në drejtim të Bashkimit Evropian. Është një shenjë e mirë”, ka thënë Scholz.