Agjentët e Harry Kane (29-vjeçar) u takuan me drejtorin sportiv të Parisit, Luis Campos, pretendon Foot Mercato.
Sulmuesit anglez i skadon kontrata në verën e vitit 2024 me Tottenhamin, i cili dëshiron të përfitojë nga shitja e tij përpara se të largohet pa pagesë. Kujtojmë, Kane prej vitesh është i lidhur me një sërë klubesh, kryesisht me Manchester United, por asnjë transferim nuk ka ndodhur.
Foot Mercato raporton se Campos ende nuk e ka bindur Kane për t’u transferuar te PSG, të cilët, siç duket, e kanë bërë sjelljen e golashënuesit fantastik detyrën kryesore të afatit kalimtar të verës. Le Parisien shton se dështimi për të sjellë Robert Lewandowskin, i cili u largua nga Bayern për në Barcelonë, forcoi dëshirën e parisienëve për të blerë Kane.
Kane është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Premier League
Lionel Messi dhe ndoshta Neymar, do të largohen nga PSG këtë sezon, që do të thotë se shumë vende në sulm po hapen. Kampionët francezë duan Victor Osimhenin, por Napoli thuhet se kërkon 150 milionë euro. Le Parisien beson se Kane do të vinte për 100 milionë euro, duke marrë parasysh skadimin e afërt të kontratës.
Kane ka shënuar 209 gola në Premier League, duke e bërë atë të dytin në listën e golashënuesve në historinë e Premierligës pas Alan Shearerit me 260. Këtë sezon ai shënoi 29 herë në 47 ndeshje dhe Transfermarkt e vlerëson me 90 milionë euro atë, transmeton Fol Drejt.