Policia braziliane spastroi të hënën një kamp protestash jashtë selisë së forcave të armatosura në Brasília dhe arrestoi rreth 1500 njerëz, një ditë pasi mbështetësit radikalë të ish-presidentit të krahut të djathtë Jair Bolsonaro sulmuan institucionet shtetërore.
Mijëra protestues sulmuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial të dielën, duke refuzuar të njohin humbjen e Bolsonaros në zgjedhje ndaj majtistit Luiz Inácio Lula da Silva, i cili u betua si president i Brazilit një javë më parë.
Bolsonaro, i cili aktualisht banon në shtetin amerikan të Floridës, kurrë nuk e ka njoftuar dhe pranuar publikisht humbjen e zgjedhjeve.
Pas dhunës së së dielës, Gjykata e Lartë urdhëroi që kampet e protestuesve, përfshirë edhe atë përballë selisë ushtarake, të pastrohen brenda 24 orëve, duke nxitur një operacion të madh policor, raporton portali G1.
Të dielën, 230 rebelë të dyshuar që plaçkitën ndërtesën e Kongresit, depërtuan nëpër barrikada, u ngjitën në çati dhe thyen xhamat gjatë dhunës në Brasília, u arrestuan.
Më pas, protestuesit e drejtuan zemërimin e tyre drejt Gjykatës së Lartë dhe pallatit presidencial aty pranë dhe u deshën disa orë që forcat e sigurisë të rifitonin kontrollin e zonës.
Lula, i cili e quajti sulmin një përpjekje për grusht shteti, nënshkroi një dekret të ndërhyrjes federale, duke lejuar qeverinë të marrë përgjegjësinë për sigurinë publike në Brasília, “në përgjigje të një akti terrorist”.
Në një bisedë telefonike me presidentin brazilian të hënën, presidenti amerikan Joe Biden përcolli “mbështetjen e palëkundur” të vendit të tij për “demokracinë braziliane dhe vullnetin e lirë të popullit brazilian të shprehur në zgjedhjet e fundit presidenciale”.
Biden e ftoi gjithashtu Lulën në “konsultime për një program të gjerë të përbashkët” në Shtëpinë e Bardhë në fillim të shkurtit, të cilat presidenti brazilian e pranoi, sipas deklaratës së përbashkët./FolDrejt/