Një vit pas vdekjeve të para nga COVID-19 në Europë, epidemia po vazhdon sërish, me Italinë që ka rimbyllur pjesën më të madhe të territorit të saj, ndërsa, në Francë, kryeministri Jean Castex përmendi një situatë spitalore jashtëzakonisht të tensionuar në Ile-de-France, sipas raportimeve nga e përditshmja franceze “Les Echos”.
Presioni mbi sistemin shëndetësor vazhdon të rritet, me 24 989 pacientë të shtruar në spital me COVID-19 të dielën ose 318 më shumë se të shtunën, si edhe 4 127 pacientë të trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv, 57 më shumë se një ditë më parë.
“Qeveria ka në plan të kryejë qindra evakuime mjekësore nga Ile-de-France javën e ardhshme. Situata është e tensionuar në spitalet e Ile-de-France dhe këto transferime të pacientëve janë thelbësore”, njoftoi zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal, që fillimisht iu referua atyre me “disa dhjetra”.