Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Itali dhe u ekstradua për në Shqipëri.
I arrestuari është 40 vjeçari Besnik Lamçja.
“Pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, për vendodhjen e një personi shumë të kërkuar, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur kapja në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: – Besnik Lamçja, 40 vjeç.”, u bë e ditur në njoftim.
Policia e Shtetit informoi se Lamçja është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
“Në datën 27 qershor 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Besnik Lamçja, në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, shtoi tutje Policia./21Media