Një nga emrat më të njohur të trafikimit të kokainës nga Amerika Latine në Europë është arrestuar në Brazil, dy vite pasi ishte arratisur nga një burg në Uruguaj.
Ai është Roço Morabito, 54-vjeç, një emër i njohur i mafies italiane, i cili prej viteve 1990 ishte përfshirë në trafikimin e kokainës nga Brazili në Itali.
54-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për trafik droge.
Në vitin 1995 u dënua në mungesë me 28 vite burg në Itali, duke iu shtuar më pas në 30 vite.
Morabito vazhdonte të ishte në kërkim deri në shtator të 2017, pasi u zbulua në Punta del Este në Uruguaj, i cili jetonte me një identitet të rremë prej 13 vitesh.
Mësohet se në 2004, përmes një pasaporte braziliane me emrin Francisco Capeletto, siguroi një qëndrim në shtetin e Uruguajt, por u zbulua në momentin kur regjistroi vajzën e tij në kolegj me identitetin e tij real.
Drejtësia uruguajane e miratoi ekstradimin e tij drejt Italisë në 2018-ën, por në muajin qershor të 2019, ai arriti të arratisej nga burgu.
I ashtuquajturi “mbreti i kokainës” në vitet 1990 në Milano, kohë kur ai jetonte në Itali, ka lindur në një fshat të Kalabrisë dhe ishte kapo i klanit mafioz “Afriko Nuovo”.