Mjeku Ahmet Kamberi ngre dyshime për rolin e Kadri Hazbiut si ministër i Mbrojtjes në vitin 1981, kur gjatë një takimi i kishte thënë se në Shqipëri ka hyrë një helm, përmes të cilit duan të vrasin Enver Hoxhën, përmes ekipit të mjekëve që qëndronin me të 24 orë.
“Ne e çmuam të nevojshme t’u vëmë në dijeni për këtë”, ishte shprehja që Kadri Hazbiu i kishte thënë profesor Kamberit, të cilit i kishte lindur dyshimi se cilët ishin këta “ne” që flisnin për një helmim të mundshëm të Enver Hoxhës.
Por sipas mjekut, e dyshimtë ka qenë edhe sjellja e shefit të sigurisë së Enver Hoxhës, Sulo Gradecit, i cili nuk ia kishte raportuar Enver Hoxhës këtë kërcënim që mund t’i vinte nga një helmim i mundshëm, i shprehur nga ministri Kadri Hazbiu. Profesor Kamberi sjell në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë” dialogun e fundit me Kadri Hazbiun dhe Sulo Gradecin për të përforcuar edhe më shumë pikëpyetjet e tij.