Dhoma e Ligjvënësve në Karolinën e Jugut votoi për të krijuar një skuadër pushkatimesh për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje, pasi ky shtet ndeshet me mungesa të solucionit për injeksionet vdekjeprurëse.
Dhoma e miratoi masën me 66 vota pro dhe 43 kundër, duke sjellë një hap më pranë vënien në praktikë të skuadrës së pushkatimit. Në mars Senati i këtij shteti miratoi variantin e tij të kësaj mase me 32 vota pro dhe 11 kundër. Kjo masë merret me synimin për të rifilluar ekzekutimin e të dënuarve me vdekje në një shtet që dikur ishte ndër më aktivët me këtë praktikë.
Për herë të fundit në Karolinën e Jugut u krye ekzekutim 10 vjet më parë. Në bazë të projektligjit, i dënuari me vdekje mund të zgjedhë skuadrën e pushkatimit ose karrigen elektrike nëse ka mungesa të solucionit për injeksion vdekjeprurës. Tani projekt-ligji i kalon guvernatorit republikan për firmë.
Sipas zyrtarëve të sistemit të korrektimeve të paktën tre nga të dënuarit me vdekje në Karolinën e Veriut kanë përmbyllur pa sukses të gjithë procesin e apelimeve dhe mund të ndeshen së shpejti me ekzekutim.
Masa ligjore pritet të pasohet nga sfida në gjykatë. Karolina e Jugut filloi ekzekutimet me karrigen elektrike në 1912, duke e kaluar këtë akt në duart e autoriteteve shtetërore nga komunat individuale që deri atëherë kryenin ekzekutimet.