Ballafaqimi mes Katarit dhe Ekuadorit nga ora 17:00 do të jetë loja hapëse e Kampionatit Botëror “Katari 2022” në kuadër të Grupit A. Katari do të debutoj për herë të parë në ngjarjen më të madhe sportive në botë në “Al Bayt Stadium” në Al Khor.
Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Takimi që i sfidon Katarin dhe Ekuadorin do të jetë takimi i 900-të në historinë e Kupës së Botës. Në 21 turne të mëparshëm të Kupës së Botës janë zhvilluar 899 takime, nga të cilat janë realizuar 2549 gola, derisa në takimet ku fituesit janë përcaktuar pas penalltive, janë realizuar 183 penallti.
Katarin e drejton trajneri Felix Sanchez, ndërsa në bankinën e Ekuadorit trajner është Gustavo Alfaro. Kujtojmë që Katari kualifikimin për në Kampionat Botëror e ka siguruar në mënyrë direkte për shkak që është organizator i kampionatit.
Lojtari më i dalluar te Katari është anëtari i klubit Al Duhail, Almoez Ali. Në 84 paraqitje për fanellën e Katarit, Almoez Ali ka realizuar 41 gola dhe 20 asistime. Nga tabori i Ekuadorit, lojtari më i dalluar është Moises Caicedo. Aktualisht futbollisti 21-vjeçar luan në Premier Ligë për skuadrën e Brightonit. Në 25 takime për Ekuadorin, Caicedo është realizator i dy golave dhe i 6 asistimeve.
Në kuadër të grupit A bashkë me Katarin dhe Ekuadorin, garojnë edhe Holanda e Senegali./FolDrejt/