Ministri i Jashtëm i Katarit tha se vendi i tij po punon me talibanët për të rihapur aeroportin e Kabulit “sa më shpejt që është e mundur”.
Nuk ka ende “asnjë indikacion të qartë” se kur aeroporti i Kabulit do të rifillojë funksionimin normal, tha Mohammad bin Abdulrahman al-Thani gjatë një konference për media me homologun e tij britanik, Dominic Raab, të enjten në Doha.
Më herët, Al Jazeera, duke cituar një zyrtar të aviacionit civil në Afganistan, tha se fluturimet e brendshme nga aeroporti i Kabulit do të rinisin më 3 shtator, transmeton FolDrejt.com.
Transmetuesi me qendër në Katar raportoi se një ekip teknik i Katarit po vlerëson dëmet në aeroport dhe se planet janë që ai të rikthehet në punë “së shpejti”.
Fluturimet e brendshme u ndërprenë pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit, më 15 gusht.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët arritën të evakuojnë më shumë se 123,000 të huaj dhe afganë nga Kabuli midis 14 gushtit – një ditë para se talibanët të merrnin kontrollin – dhe 31 gushtit, kur SHBA-ja përfundoi praninë e saj në Afganistan.
Më 27 gusht, disa sulme vetëvrasëse jashtë aeroportit të Kabulit dëmtuan rëndë ndërtesën dhe lanë mbi 170 njerëz të vrarë. Në mesin e viktimave ishin edhe 13 ushtarë amerikanë.