Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar të rikthehet votimi elektronik në Kuvendin e Kosovës dhe bërjen publike të votave të deputetëve gjatë seancave.
Për këtë ata reaguan përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Është bërë më shumë se një vit qëkur procesi i votimit në seancat e Kuvendi i Republikës së Kosovës – Skupština Republike Kosova i është rikthyer praktikës së votimit me ngritje të dorës, si rezultat i dështimit të procedurave tenderuese për t’a rifunksionalizuar votimin elektronik.
#KDI vlerëson që mungesa e votimit elektronik po e cenon funksionimin transparent por edhe llogaridhënien e Kuvendit. Kështu, vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve, i shprehur nëpërmjet votimit individual mbetet i panjohur për qytetarët, meqë Kuvendi nuk po e publikon informatën se si secili deputet ka votuar lidhur me pikat e rendit të ditës, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Sipas Nenit 61, paragrafi 9 të Rregullores, “Publikimi i votimit me dorë bëhet publike brenda dy (2) ditë pune pas përfundimit të votimit në seancë plenare.”
Në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit dhe e deputetëve individualisht, KDI kërkon nga Kuvendi, që në një afat sa më të shpejtë të mundshëm t’a rikthejë votimin elektronik. Në ndërkohë, Kuvendi përveç publikimit të votave kumulative, duhet të bëjë të qasshme për publikun rezultatet e votimit me dorë për secilin deputet individualisht në seancat e Kuvendit”, thuhet në reagim./FolDrejt/