Në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varhelyi ka deklaruar se mbështetja e unionit për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE do të vijojë.
“Është interesi strategjik i Bashkimit Evropian që të mundësojë integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në union. Vetëm diçka e tillë do të siguronte stabilitet afatgjat, paqe dhe prosperitet jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por edhe për Bashkimin Evropian“, transmeton Fol Drejt.
Varhelyi u ndal edhe tek një sërë problematikash ku përfshiheshin shkëputja e rajonit nga varësia ruse e energjisë me një plan i cili synon të bashkojë vendet e rajonit së bashku me Bashkimin Evropian në blerjen e përbashkët të energjisë elektrike.
Komisioneri për zgjerim konsideroi në fjalimin e tij një çështje urgjente edhe migracionin e paligjshëm që kalon përmes Ballkanit Perëndimor me emigrantë që kanë si pikësynim vendet e unionit. Për këtë arsye ai njoftoi se do të ketë ndihmë politike dhe financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor me një vlerë prej 350 milionë Eurosh deri në vitin 2024 për të parandaluar emigrantët ilegalë.
Oliver Varhelyi deklaroi se Bashkimi Evropian mirëpret vetëm emigrantët që zgjedhin rrugë ligjore teksa shtoi se vendet do të mbrojnë sistemet e tyre të azilit./FolDrejt/