Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZh) e Kosovës nga data 26 prill deri më 25 maj të këtij viti, ka hapur aplikimin për subvencione me anë të të cilit mund të përfitojnë fermerët e Kosovës të cilët që kultivojnë kultura të ndryshme bujqësore, transmeton Fol Drejt.
Duke u bazuar në njoftimin e MBPZh-së nga këto subvencione në vlerë prej 50 milionë euro, mund të përfitojnë kultivuesit e grurit, elbit, thekrës, tërshërës, misrit, lulediellit, vreshtave ekzistuese në Kosovë, prodhuesit e verës, pemishtet, mjedrës, mollës, kumbullës, rrushit, dredhëzës, specit, arrës fasulës, misrit, qershisë, vishnjës, dardhës, prodhuesit e materialit fidanor të pemëve drufrutore dhe hardhisë se rrushit, siperfaqet e mbjella me perime, prodhimtaria organike, prodhimtaria me bimë mjekësore e aormatike, kultivuesit e lopëve dhe buallicave qumështore, deleve e dhive qumështore, bletëve, pulave vojse dhe dosave për riprodhim.
Kriteri kryesor për të qenë pëfitues të këtyre subvencioneve është të qenit qytetar i Republikës së Kosovës dhe kriteret por gjithashtu edhe dokumentacionin e nevojshëm MBPZh-ja e ka publikuar KËTU.
Për kriteret e aplikimit për subvencionet e MBPZh-së ka pasur reagime të shumta, ku edhe fermerë të ndryshëm e kanë konsideruar se ka pasur anashkalime në disa prodhimtari.
Një nga fermerët i cili reagoi që kur është paraqitur draft ushëzimi administrativ është Gursel Arifi, pronar i fermës “Eko Sharri”.
Arifi përmes reagimit i cili është publikuar në FolDrejt ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të mos e anashkalojë sektorin e prodhimit të mishit të pulës.
Fol Drejt kontaktoi me Arifin në lidhje me këtë çështje, ku ndër të tjera ai theksoi se subvencionet e MBPZh-së nuk e kanë pasur efektin të cilin do të duhej ta kishin në zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
“Subvencionet e Ministrisë se Bujqësisë nuk e kanë pasur efektin e duhur në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Nëse i shikojmë statistikat e importit të produkteve bujqësore, kemi rritje te importit për secilin produkt bujqësor. Kjo është si pasojë e politikave jo të duhura në dhënien e subvencioneve dhe kritereve që janë përcaktuar në fillim dhe ka më shume se 10 vite këto politika nuk ndryshohen edhe pse nuk kanë dhënë rezultate”, u shpreh ai.
Ferma “Eko Sharri” të cilën edhe e drejton Gursel Arifi ka kapacitet prej 30.000 zogj në vit, por që shfrytëzohet vetëm 50% e kapacitetit të plotë.
“Unë merrem me rritjen e zogjve të mishit – broiler. Kapaciteti i fermës është 30,000 zogj ne vit, ndërsa i shfrytëzoj 50 për qind te kapacitetit”, sqaroi mëtej ai.
Duke e ndërlidhur çështjen edhe me reagimin e tij, pronari i fermës “Eko Sharri” dalloi katër probleme kryesore të cilat kanë të bëjnë me subvencionet e ndara nga MBPZh-ja.
“Nuk subvencionohet rritja e prodhimit, por subvencionet sipërfaqja për hektar apo për kokë lope. Me qëllim që fermeri të stimulohet të prodhojë më shumë, duhet të subvencionohet sasia e prodhimit.
Vonesat e subvencioneve – çdo vit subvencionet vonohen nuk jepen në kohën e duhur kur fermerët kanë nevojë në blerjen e inputeve bujqësore dhe lendës së parë.
Monitorimi dhe vlerësimi i aplikuesëve – kjo i ka demotivuar fermerët serioz, për shkak të keqpërdorimeve qe janë bërë në vlerësim dhe monitorim te subvencioneve.
Sektori i prodhimit të mishit nuk është subvencionuar – mishi i pulës nuk është subvencionuar asnjëherë edhe pse kapacitetet e prodhimit ekzistojnë ky sektor nuk është përkrahur nga Ministria e Bujqësisë. Po ashtu sektori i prodhimit te mishit te viçit nuk është subvencionuar, ka filluar në vitin 2021 me një shumë simbolike që nuk është e mjaftueshme për prodhuesit e këtij sektori”, u shpreh Arifi.
FolDrejt ka kontaktuar gjithashtu edhe me një nga prodhuesit e njohur vendorë, Burim Piraj, pronar i “Meka Halal Food”, e cila aktivitetet e saj prodhuese duke nxjerrë në treg së pari suxhuk, kurse më vonë fillon prodhimin e produkteve të tjera siç janë: sallamë, proshutë, salsiçe, pashtetë, rriskë të gjedhit dhe të tjera produkte të cilat kanë përbërje viçi, pule ose peshku.
I pyetur në lidhje me subvencionimin nga Ministria e Bujqësisë u shpreh se mbi të gjitha prodhuesit vendorë kanë nevojë në radhë të parë për trajtim të barabartë.
“Prodhuesit e Kosovës pikë së pari nuk janë të barabartë me prodhuesit e vendeve të CEFTA-së sepse politikat tatimore i ngarkojnë me taksë më shumë prodhimet vendore se ato të CEFTA-së.
Unë jam nga ata që mendojnë se nuk duhet subvencionim por duhet mundësi të na jepet dhe në një mënyrë të na trajtojnë si pasuri e vendit e jo si pasuri individuale. Kosova ka shumë probleme politike dhe nga këto probleme politike pëson dhe humbje marramendëse ekonomike, vendet si Serbia e Maqedonia e Veriut Kosovës i bëjnë shumë barriera jo tarifore derisa institucionet tona heshtin sikur ne me qenë jetim.
Prodhuesit vendor kanë nevojë për përkrahje dhe trajtim të barabartë ky do të ishte subvencionimi më i mirë”, u shpreh Piraj.
Aplikimi për subvencione nga MBPZh-ja është i hapur deri edhe nëntë ditë bëhet në zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi./Z.R.//FolDrejt/