KEDS i ka hedhur fajin komunës së Lipjanit për mosrregullimin e daljeve të prishura të Sllovisë dhe Konjuhit, e që sipas KEDS-it kanë lënë pa energji elektrike mbi 3000 banorë të kësaj komune.
Siç njofton KEDS përmes një postimi në facebook, dalja e Sllovisë dhe një pjesë e daljes së Konjuhit, që të dyja në Lipjan janë në prishje.
“Të dy daljet janë nëntokësore për çka nevojitet prerje e asfaltit për ti rregulluar. Fatkeqësisht, Komuna e Lipjanit nuk po jep leje që ato të sanohen, duke bërë që mbi 3 mijë konsumatorë të mbesin pa energji elektrike.”, ka njoftuar KEDS, që njëkohësisht ka shprehur gatishmërinë për t’i sanuar këto prishje në momentin që komuna jep leje.
“Daljet janë prishur nga mingarkesat. Fillimisht ishte prishur një pjesë e daljes së Konjuhit, para rreth një muaji. Komuna nga atëherë nuk ka dhënë leje për intervenim. Për të mos i lënë konsumatorët pa energji në pikun e dimrit, KEDS e kishte transferuar furnizimin e tyre në dy dalje tjera. Por, për shkak që komuna nuk dha leje kohë të gjatë, kjo ka bërë që të mbingarkohet edhe dalja e Sllovisë, duke u shkaktuar prishje edhe aty. Tash, komuna nuk po jep leje për asnjërën që të sanohet.”, ka thënë KEDS tutje./FolDrejt/