Disa shkollave në Prishtinë, KEDS ua ndali rrymën, pasi të njëjtat nuk i kishin paguar faturat për energjinë e shpenzuar.
Drejtuesit e shkollave ankohen se ky veprim u bë pa asnjë paralajmërim, ndërkohë nga Komuna e Prishtinës u arsyetuan se me vonesë u është alokuar buxheti nga Ministria e Financave për t’i paguar faturat e energjisë.
Energjia elektrike u ndal në shkollën “Dardania”, drejtori i së cilës, Isa Bregaj, tha se arsyetimi ishte për shkak të mos pagesës.
“Kanë ardhur dy persona pa paralajmërim, as nuk kanë kontaktuar me ne në zyre e kanë ndërprerë rrymën. Më lajmërojnë punëtorët teknikë që është ndërprerë rryma. Si zakonisht vijnë e lexojnë orën për shpenzime të rrymës, kur i pash te dera i pyeta pse është ndërprerë rryma pa paralajmërim, thanë që ‘nuk është puna e juaj por e jonë’ dhe kanë vazhduar”, tha Bregaj për RTK.
Pa paralajmërim rryma iu shkëput edhe shkollës “Ismail Qemali” në kryeqytet.
“Si shumica e shkollave të Prishtinës të cilave iu është shkyçur rryma edhe tek ne është shkyçur pa kurrfarë informate nga KEDS kanë ardhur kanë shkyçur kur dolëm poshtë të bisedojmë, thanë që ‘nuk është problemi te ju por në Komunë’”, tha drejtoresha e kësaj shkolle Mimoza Krasniqi.
Nga KEDS i thanë RTK-së se rryma disa shkollave në Prishtinë iu shkëput si pasojë e borxheve,
“Ne e kemi obligim ligjor t’i trajtojmë të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë. Konsumatori në fjalë nuk kanë paguar. Për arsye pse është grumbulluar ky borxh ju lutemi drejtohuni Komunës së Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e KEDS.
“Për shkak të alokimit të buxhetit me vonesë, nga Ministria e Financave, Departamenti i Thesarit, pagesa e muajit dhjetor është bërë me datë 9 shkurt 2022, ndërsa pagesa e muajit janar është bërë me datë 15 shkurt 2022. Ne duhet të theksojmë se për të dy pagesat në fjalë në të njëjtin ditë e kemi njoftuar edhe kompaninë e KESCO”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Në orët e pasdites rryma është rikthyer në të gjitha ato shkolla që KEDS ua kishte shkëputur energjinë elektrike.