Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti po merr pjesë në shënimin e Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ndërsa ka bërë thirrje për punë më efikase për pandalimin e këtij fenomeni, shkruan Fol Derjt.
Ai tha se vetëm këtë vit në Kosovë janë shënuar 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, ku 11 janë të mitura.
“Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë. Prandaj luftimi i këtij krimi është urgjent e i domosdoshëm. Eliminimi është i vështirë por angazhimi i qeverisë është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimi me qenie njerëzore”, është shprehur ai ndër të tjera.
Tutje, ai tha se viktimat e trafikimit me njerëz janë vendase e të huaja, ku siç tha, trafikohen me premtime për martesë e punësim si valltare e këngëtare dhe i detyrojnë ato për trafikim seksual në shtëpi, klube nate e sallone masazhi.
“Detyrë e jona si qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, siç janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit e vetëdijes”.
Më tutje ai ka theksuar se si qeveri kanë plane konkrete për preventivë të fenomenit, ndërsa u është referuar edhe disa statistikave.
“Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse, për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë”, ka konfirmuar ai./FolDrejt/