Ndjesia e dhimbjes është tepër e fortë dhe kërkon çlirim të menjëhershëm. Në shumë raste, ky çlirim gjendet në kutinë e shpejtë ku ruhen me fanatizëm medikamentet kundër dhimbjeve. Në rast dhimbjeje, njeriu ka tendencën të marrë ilaçin për të cilin është i bindur që funksionon, ndonëse ai mund të mos adresojë siç duhet dhimbjen në fjalë. Rrjedhimisht, ekspertët rekomandojnë që përpara marrjes së një ilaçi, njeriu duhet të kuptojë prejardhjen e dhimbjes.
Disa burime të dhimbjes mund të dëshifrohen shumë lehtë. Nëse keni kaluar një ditë të lodhshme përpara kompjuterit, atëherë me siguri do të goditeni nga dhimbja e kokës si pasojë e tensionit. Nëse keni kaluar gjithë ditën duke bërë punë të rënda shtëpiake, do të përballeni me dhimbjen e shpinës. Por jo çdo dhimbje ka një burim kaq të qartë, sidomos ato që shfaqen për herë të parë.
Dhimbja e gjurit apo e ijeve kur dilni shëtitje apo dhimbja e fundshpinës që nuk di të mbarojë mund të jenë tregues të një problem më të thellë shëndetësor. Në këto raste, hapi më i arsyeshëm është që të konsultoheni me një mjek për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një problem serioz. Nga ana tjetër, ka disa lloje dhimbjesh akute që mund të trajtohen me medikamentet që ruani në kutinë e shpejtë ose me një ndryshim të lehtë në stilin e jetesës.
Medikamentet E Duhura Kundër Dhimbjeve
Në farmaci mund të gjenden disa lloje medikamentesh me efekt qetësues që kontrollojnë dhimbjet duke ndërhyrë në zhvillimin, transmetimin apo interpretimin e mesazheve të dhimbjes në organizëm. Këto barna mund të jenë efikasë në largimin e dhimbjeve të lehta dhe mesatare. Disa syresh bëjnë mirë edhe kundër inflamacionit Në farmaci mund të gjenden dy lloje ilaçesh kundër dhimbjeve.
Ilaçet Që Merren Nga Goja
Ndër këto ilaçe mund të japim shembullin e aspirinës apo ibuprofenit që funksionojnë kundër dhimbjes që shoqërohet nga inflamacioni. Megjithatë, këto ilaçe kanë efekte serioze anësore. Ndër këto efekte përfshihen: të përzierat, dhimbjet në stomak ose ulçera. Doza të mëdha të këtyre ilaçeve mund të shkaktojnë probleme me veshkat dhe tension të lartë të gjakut. Rreziku është më i lartë për njerëzit mbi moshën 75 vjeç.
Ilaçet Për Përdorim Topikal
Në këtë kategori futen kremërat, xheli, solucionet spërkatëse ose fashat ngjitëse që vendosen në zonën ku njeriu ndien më shumë dhimbje. Voltareni është një nga këto ilaçe që përdoret më shumë në Shqipëri. Këto ilaçe mund të ulin dhimbjet pa efekte serioze anësore. Ato aplikohen direkt në zonën e dhimbjes dhe nuk kanë asnjë ndikim në pjesën tjetër të trupit. Këto barna rekomandohen për njerëzit e moshuar që janë më të rrezikuar nga ilaçet që merren nga goja.
Kompresat E Ngrohta Dhe Të Ftohta
Ndonjëherë dhimbjet mund të lehtësohen falë aplikimit të kompresave të ngrohta dhe të ftohta. Këto kompresa bëjnë punë sidomos për dhimbjet e gjymtyrëve, qafës, shpinës e të tjerë. E ftohta e mpin dhimbjen duke ngushtuar enët e gjakut. E ngrohta nga ana tjetër qetëson muskujt dhe largon dhimbjen. Nxehtësia rrit qarkullimin e gjakut në zonën e lënduar ose burimin e dhimbjes./AgroWeb