Klankosova.tv sot ka siguruar një fotografi të një policeje, e cila me këpucë goxha të dëmtuara po lëvizte sot me njërin nga autobusët e transportit publik në Prishtinë.
E në lidhje me këtë, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar polici nga Suhareka Gramos Shala, i cili edhe pse tha se uniformat e dëmtuara ndërrohen me kohë, pranoi se ndodh që mund të ketë vonesa për disa ditë ose javë.
Përkundër kësaj, ai ka shkruar se kjo gjë nuk u pengon që ta bëjnë punën e tyre dhe nuk e ulin dëshirën për t’i shërbyer vendit.
“Këto asnjëherë nuk më brengosin e as nuk ma humbin vullnetin e dëshirën për t’iu shërbyer qytetarëve të vendit tim, pasi që për uniformën e dëmtuar i informoj zyrtarët kompetentë në Shërbimin Policor dhe të njëjtat me ndërrohen me kohë edhe pse mund të ndodhë që për shkaqe burokratike të vonohen me ditë e me javë dhe mund të më duhet që të veshë edhe ca ditë uniformën e dëmtuar, por puna ime do të jetë e njëjta. Deri sa po i shkruaj këto rreshta po më kujtohet një proverb i vjetër shqiptar: ‘Mos i shiko gunën, por shikoji punën’”, shkroi Shala në Facebook.
Ai tha se deri te dëmtimi i uniformës vjen pas një pune të madhe të bërë në terren.
Tutje, ai është shpreh se uniforma e dëmtuar, tregon punën dhe sakrificën e një polici, përcjell Klankosova.tv.
“Një uniformë e dëmtuar tregon punën dhe sakrificën e një zyrtari Policor e kjo gjë asnjëherë nuk ma ulë moralin , ajo që më brengos dhe që më lenë plagë ne mendjen time janë fjalët e qytetarëve ku shpesh dhe na krahasojnë me armiqtë shekullorë. Me respekt: Polici i Kosovës”, shkroi ai.