Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe të dyshuarin e tretë, të përfshirë në rastin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, përcjell Fol Drejt.
Siç njofton policia, më 22 gusht të këtij viti, në komunën e Suharekës, janë arrestuar dy persona të dyshuar me iniciale (E.SH dhe B.K.) për shkak se dyshohet se të njëjtit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qellim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo persona te tjerë.
“Të njëjtit në cilësi të personave zyrtar kanë qenë te caktuar për menaxhim dhe mbikëqyrje të kontratës për ndërtimin e disa rrugëve në një fshat të komunës së Suharekës në vitin 2022, ku vlera e kësaj kontrate ka qenë dhjetëra mijë euro.
Pas daljes së prokurorit në vend ngjarje dhe eksperteve kompetent dhe verifikimit të gjendjes faktike, si dhe intervistimit të dëshmitarëve, lidhur me ketë kontratë është konstatuar se e njëjta nuk është realizuar siç ka qenë e paraparë.
Të dyshuarit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në teren kjo kontratë nuk është realizuar.
Lidhur me rastin janë intervistuar të dyshuarit e lartcekur me iniciale në prezencë të avokatit mbrojtës, ku pas përfundimit, sigurimit të provave dhe dëshmive me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, lidhur me këtë rast, sot është arrestuar edhe i dyshuari i tretë.
“I dyshuari në bashkëveprim me persona zyrtar të komunës së Suharekës dhe menaxherin e kontratës pas përpilimit të procesverbaleve dhe situacioneve fiktive si dhe raportit fiktiv për kryerën e punëve lidhur me ketë tender, kompania ka lëshuar faturat për realizim të punëve me çka edhe janë realizuar pagesat nga komuna e Suharekës, ku në realitet punët apo shtrimi i rrugëve sipas kontratës nuk është realizuar.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas përfundimit te intervistimit me vendim të prokurorit kompetent i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.”, thuhet më tej në njoftim.