Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për zyrtarin e postës (postierin) i cili gjatë orarit të punës, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte larguar një zarf nga zyra e postës, transmeton Fol Drejt.
Bazuar në informatat e pranuara dyshohet se në zarf kanë qenë disa fotografi të ndjeshme.
Mbi bazën e dyshimeve Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka arritur ta identifikojë të dyshuarin dhe në konsultim me Kryeprokurorin e PTH në Prishtinë, i dyshuari është shoqëruar në polici për intervistë në cilësinë e të dyshuarit, përderisa në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe një person tjetër.
Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari mashkull/kosovar me inicialët (M.R,) dyshohet se ka kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.
Në konsultim dhe koordinim me Prokurorin Kujdestar nga PTH në Prishtinë, është lëshuar vendim mbi ndalimin e të dyshuarit dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme./FolDrejt/